Tuneli numër 3 në nyjen “Shqiponja”, i cili do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve që vijnë nga Durrësi drejt Tiranës është hapur për qarkullimin e automjeteve në orët e para të ditës së mërkurë. Segmenti është pajisur me të gjithë sinjalistikën e nevojshme, duke ofruar siguri rrugore ndërsa në koordinim edhe me policinë rrugore janë marrë masat për menaxhimin e trafikut.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe Drejtorin e Policisë Rrugore për Tiranën, Erjon Ahmeti ndoqën nga afër punimet e realizuara në këtë vepër si dhe masat e marra për devijimin e trafikut.
“Në planin e menaxhimit të trafikut, ne jemi fokusuar bashkë me Policinë Rrugore për sinjalistikën e shtuar në këtë segment kaq të rëndësishëm, ku kalojnë 45 mijë mjete në ditë. Në javët në vijim ne do përpiqemi të mbyllim tunelet 5 dhe 2, të cilët do na japin mundësinë për aksesin e Durrësit në drejtim të Tiranës, në drejtim të Zogut të Zi nëpërmjet soletave të tyre dhe pas disa javësh trafiku në sheshin ‘Shqiponja’ nuk do jetë më problematik”, u shpreh drejtori i ARRSH.
Ministrja Balluku tha se për shkak të kantierit të ngritur, në këtë zonë krijohej një trafik i dendur, duke u kthyer në një shqetësim për drejtuesit e automjeteve, ndërsa tashmë me hapjen edhe të tunelit numër 3 pritet të ketë një lehtësim të qarkullimit në këtë pikë.
“Punët kanë ecur mirë në këtë kohë dhe jemi sipas grafikut, nuk kemi pasur vonesa dhe problematika. Kemi qenë shumë të kujdesshëm, për të përmbushur edhe kushtet teknike, duke ofruar siguri maksimale. Pavarësisht presionit të këtij trafikut të shtuar edhe qytetarëve, të cilët me shumë të drejtë kanë pasur ankesa për bllokimet e shumta, por ne na është dashur të jemi të kujdesshëm. Po i dorëzojmë edhe para kohe disa nga pjesët e këtij projekti, por sigurisht me kritere dhe siguri të plotë pa lënë asgjë pas dore”, u shpreh Balluku.
Në bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore trafiku në këtë nyje, pas përfundimit të plot të veprës do të monitorohet përmes një qendre speciale kontrolli.
“Është mjaft e rëndësishme, që të gjithë tunelet e sheshit ‘Shqiponja’ do të monitorohen nga një qendër speciale kontrolli, nuk do jenë të pa menaxhuara pasi kemi një kompleksitet shumë të madh të trafikut brenda kësaj zone. Me përfundimin e të gjithë veprës, në tetor të këtij viti, do të kemi edhe një qendër kontrolli, e cila do të menaxhojë të gjithë trafikun e nyjës më komplekse dhe nyjës më të madhe që kemi në Republikën e Shqipërisë, derisa shpresojmë të ndërtohet nyja e Kasharit tek bypass-i i Tiranës, I cili do të jetë akoma edhe më kompleks”, nënvizoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se ndërtimi i kësaj vepre do t’i japë zonës një vlerë të shtuar, ndërsa shtoi se po vijon puna për lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë në nyjen “Shqiponja” po punohet me tre turne për të bërë të mundur përfundimin e saj në afatin e premtuar.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë