Nis asfaltimi i rrugës në lotin 3 të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Materniteti i ri - Shkozë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/03/2021

Nis asfaltimi i rrugës në lotin 3 të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Materniteti i ri – Shkozë

Një tjetër segment i Unazës së Madhe të Tiranës do të jetë shumë shpejt i hapur për qarkullimin e automjeteve, duke lehtësuar edhe më trafikun në kryeqytet. Në pjesën verilindore, në segmentin Materniteti i ri – Shkozë – Uzina e Autotraktorëve, ka nisur puna për asfaltimin e rrugës, e cila pritet të jetë gati brenda muajit prill.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho inspektuam mbrëmjen e së dielës punimet që po kryhen në këtë segment.

Drejtori i ARRSH tha se në këtë projekt janë marrë parasysh kërkesat e Bashkisë së Tiranës, ku rruga do të ketë trotuarë, korsi biçikletash si dhe ndriçim LED. Ai theksoi se me vendosjen e këtij loti në dispozicion të përdoruesve të rrugës do të ketë një lehtësim të trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit.

“Kemi segmentin e pare, që është 1.5 kilometra nga Materniteti i Ri deri në urën e Shkozës, i cili ofron vazhdimin e Bulevardit “Zhan Dark” dhe “Bajram Curri” me tre korsi. Ka trotuar nga të dyja krahët, korsi biçikletash që vazhdon nga pjesa e Unazës së Vogël për të ardhur në Unazën e Madhe. Është shumë e rëndësishme për trafikun e Tiranës”, tha Verdho.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nënvizoi faktin se aktualisht po punohet me tre turne për të garantuar përfundimin në kohë dhe me cilësi të këtij segmenti, ndërsa shtoi se po vijon puna edhe në lotin 2.

“Këtu punohet me tre turne, pa pasur asnjë shkëputje dhe duhet t’a dorëzojmë në ditët në vazhdim, ashtu siç kemi bërë dhe me lotin e parë, i cili tashmë është i aksesushëm për të gjithë automjetet. Jemi në gatishmëri të plotë për të përfunduar edhe lotin e tretë dhe për t’a dorëzuar sa më parë për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Në lotin 2, për shkak të një problematike me relievin shumë kompleks që ka pasur aty, shumë ujëra që na kanë dalë nga nëntoka, jemi duke ndërtuar një viadukt të madh, kështu që do ketë edhe pak kohë deri një hapjen e lotit 2, i cili bashkon këto tre lote”, u shpreh Balluku.

Ministrja Balluku tha se kanë marrë zgjidhje të gjitha problematikat e shfaqura në këtë projekt, të cilat lidheshin me shpronësimet dhe tashmë puna po vijon me ritme të larta.

“Projektet që ne bëjmë sot janë që të gjitha projekte me studime të mirëfillta, pasi kemi pasur një problematikë para viteve 2013, kur qeveria Rama filloi të ishte në krye të punëve, që kemi gjetur projekte, të cilat nuk kishte asnjë studim përsa i përkiste pjesës së shpronësimeve dhe më pas shpronësimet shkonin më shumë se vetë investimi i projektit. Tashmë këto janë të gjitha probleme të kaluara dhe nuk nisim asnjë projekt, sado i madh apo i vogël, pa pasur të qartë të gjithë zonën e shpronësimeve, pa pasur një projekt të detajuar për të kuptuar sesi ku duhet të ecim”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është një projekt i rëndësishëm i cili i jep zgjidhje problematikës së trafikut në kryeqytet.