Hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti TEG - Mbikalimi i Farkës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 26/03/2021

Hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti TEG – Mbikalimi i Farkës

Pjesa lindore e Unazës së madhe të Tiranës është plotësuar tashmë me një tjetër segment të përfunduar dhe të hapur për qarkullimin e automjeteve. Loti 1, nga rrethrrotullimi i TEG, deri te Mbikalimi i Farkës mund të aksesohet tashmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve duke lehtësuar kështu qarkullimin në një prej hyrjeve në kryeqytet.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho inspektuan nga afër punimet e kryera në këtë segment me një gjatësi prej 4.14 kilometrash, të përbërë nga dy karrexhata me nga dy korsi secila, të cilat ndahen me brez të gjelbër. Rruga është e pajisur me sistemin e ndriçimit dhe elementët e tjerë të sigurisë rrugore.

“Me këtë segment lidhim përfundimisht lotin e parë me mbikalimin e Farkës, i cili do të bëjë shfryrjen e trafikut për të gjithë zonën dhe më pas makinat që vijnë nga rrethrrotullimi i TEG-ut deri këtu, në mbikalimin e Farkës do të devijojnë për në Shkozë nëpërmjet rrugëve dytësore”, bëri të ditur drejtori Verdho.

Hapja e këtij loti, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të lehtësojë ndjeshëm trafikun duke lehtësuar lëvizjen në një prej aksesve më të rënduara në kryeqytet sa i takon qarkullimit siç është “Rruga e Elbasanit”.

“Rruga e Elbasanit është një nga arteriet më të ngarkuara, kështu që një pjesë e ngarkesës do të ndahet midis këtij loti dhe rrugës së Elbasanit, çka përbën një lajm shumë të rëndësishëm për kryeqytetin. Ne po mundohemi t’u japim zgjidhje sa më shumë akseve, të cilat janë akse kryesore dhe mbajnë ngarkesën më të madhe të trafikut në Tiranë”, tha Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës është një projekt i rëndësishëm për kryeqytetin dhe për këtë arsye po punohet në disa lote për të bërë të mundur që kjo vepër të përfundojë plotësisht brenda afateve të premtuara. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi gjithashtu se shumë shpejt do të hapet për qarkullimin e automjetet edhe tuneli numër tre në nyjen “Shqiponja”, i cili do të lehtësojë qarkullimin për automjetet të cilat hyjnë në Tiranë.

“Ne jemi duke dorëzuar të gjitha kantieret e unazës lindore. Kemi nisur nga puna dhe po përfundojmë pjesën e projektimit të lotit 4, 5 dhe 6, që do të jenë tre lote shumë të rëndësishme për të bërë ndërlidhjen midis kësaj unaze të re dhe sheshit “Shqiponja”, ku punohet padyshim me ritme shumë të shpejta. Ne do të hapim tunelin 3, i cili do të përthithë një pjesë të trafikut shumë të rëndësishëm, atë që vjen nga Durrësi për t’u futur në Unazën e Madhe. Jemi drejt përfundimit të disa veprave dhe hapjes së disa kantiereve të reja, të cilët do të përmbyllin aksin më të rëndësishëm në kryeqytet, atë të Unazës së Madhe”, tha Balluku.

Në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës po vijon puna për përfundimin edhe të lotëve të tjera për të bërë të mundur përfundimin e plotë të saj.