Hapet tuneli numër 4 në nyjen “Shqiponja” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 17/03/2021

Hapet tuneli numër 4 në nyjen “Shqiponja”

Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 4 në nyjen “Shqiponja”. Përmes këtij tuneli do të lehtësohet qarkullimi i automjeteve, të cilat udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Durrësit dhe Kamzës, e më tej në veri të vendit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Erion Ahmetaj ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në këtë vepër, si dhe devijimin e trafikut pas vendosjes në funksion të tunelit Nr.4.

Ministrja Balluku bëri të ditur se të gjithë tunelet, të cilët do të vendosen në funksion në ditët në vijim do të jenë të përkohshëm, me synim lehtësimin e trafikut, ndërkohë që me përfundimin e plotë të veprës, në dhjetor të këtij viti e gjitha nyja do të marrë funksionin e projektuar.

“Mbrëmë në darkë, në orën 12 të natës, ashtu siç e kishim premtuar kemi hapur tunelin Nr.4. Automjetet që dalin nga Tirana kalojnë direkt në këtë tunel, për të dalë tek autostrada në drejtim të Durrësit. Këto tunele po hapen paraprakisht, për të pasur një shfryrje të trafikut të ngarkuar në qytetin e Tiranës. Ne gjejmë momentin dhe mënyrën për t’i kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve për orët që shpenzojnë në këtë aks, por duhet kuptuar që ky është një kantier i madh dhe kompleks”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftoi gjithashtu se dy javët e ardhshme do të hapet për qarkullimin e automjeteve edhe tuneli 3, i cili do të lehtësojë akoma dhe më shumë trafikun në këtë pikë të kryeqytetit.

“E rëndësishme është që pas dy javësh ne do të kemi hapjen e tunelit Nr.3, i cili do të mundësojë një lehtësim të ndjeshëm të trafikut deri në përfundimin dhe fazën finale. Do të ketë ndryshime të herë pas hershme, të cilat do t’u komunikohen të gjithë drejtuesve të automjeteve. Policia ka marrë angazhimin që të ndjekë të gjithë procesin. ARRSH-ja do të kujdeset që përveç ndryshimeve që do të kemi në planin e trafikut, të merren edhe masat për sigurinë rrugore, pra sinjalistikë dhe gjithçka tjetër”, shtoi më tej Balluku.

Krahas nyjes “Shqiponja”, po punohet me intensitet edhe në lotin 2 të Unazës së Madhe, për të bërë të mundur përfundimin sa më shpejt të kësaj vepre. Ministrja Belinda Balluku kërkoi nga përfaqësuesit e kompanisë që po realizon punimet që të vijojnë me ritëm të lartë, në mënyrë që kjo vepër të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë.