Në aeroportin e Kukësit është zhvilluar testi i parë për mënyrën e uljes së avionëve në pistë, vlerësimin e pengesave përreth zonës së aeroportit, si dhe mbulimin me frekuencën e komunikimit. Kjo procedurë standard është kryer në kuadër të certifikimit të shërbimit të navigimit ajror si dhe njohjes me procedurat e uljes nga kompanitë e interesuara.
Fluturimi i parë në këtë aeroport është ndjekur nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga presidenti i kompanisë koncensionare, Besnik Bami dhe drejtori i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati.
“Jemi në aeroportin e Kukësit vetëm 1 muaj nga fillimi i operimeve, pra nga fluturimi i parë, ashtu siç e ka premtuar kryeministri Rama. Punët këtu me të vërtetë kanë pasur një ecuri shumë të shpejtë dhe jam e impresionuar nga ritmi i punimeve, por nga ana tjetër sot është një ditë e veçantë, pasi do të kemi një fluturim prove në aeroportin e Kukësit për të dizenjuar procedurën e ulje-ngritjeve”, është shprehur ministrja Balluku.
Avioni i provës ka fluturuar për rreth 20 minuta mbi zonën e aeroportit dhe ka kryer dy simulime të uljes në pistë. Avioni është ulur deri në atë pikë që mund të konfirmohej se procedura ishte e saktë, por pa prekur pistën për arsye sigurie.
Ministrja Balluku e ka vlerësuar të suksesshme provën e kryer, megjithëse era në momentin e fluturimit të avionit ka qenë e fortë: “Patëm një test të suksesshëm, e rëndësishme kjo. Ditë e shënuar për ne dhe tani kemi hyrë në rrugën drejt fundit, pra drejt dorëzimit të aeroportit. Duhet thënë, që kemi pasur erë të fortë sot në Kukës gjatë gjithë kohës dhe praktikisht përveç testit që kemi bërë për uljen emergjente nga ana tjetër kemi parë edhe funksionimin e rrymave në këtë territor pra me një fluturim të vërtetë, jo thjesht nga studimet që kemi deri tani”.
Më tej drejtori i aeroportit të Kukësit, Altin Progonati e ka informuar ministren me ecurinë e punimeve. “Terminali është 80% i përfunduar dhe në pjesët e tjera punimet po ecin me ritëm të shpejtë. Deri në fund të muajit shpresojmë t’i kapim të gjitha afatet e duhura dhe të kemi rezultatin që presim”, u shpreh Progonati.
Duke folur për zhvillimin e aviacionit në Shqipëri ministrja Balluku theksoi se ndërsa aeroporti i Kukësit do të jetë aeroporti i dytë në territorin e Shqipërisë, pas pak ditësh do kemi edhe rezultatet nga gara për aeroportin e Vlorës, për t’i dhënë startin negocimit të kontratës dhe nisjes së procedurën për aeroportin e tretë në vend.
“Shpesh kemi folur për nevojën e aeroporteve të tjera në territor, por gjithmonë dukej si një ëndërr e largët, që do merrte shumë kohë për tu realizuar, por çfarë është më e rëndësishme brenda 4-vjecarit të ardhshëm ne parashikojmë që të nisim edhe dy aeroportet e tjera, të cilat janë aeroporte ndërkombëtare, por sigurisht më të vegjël dhe që do të akomodojnë vetëm nevojat turistike, siç janë aeroporti Sarandës dhe ai i Korçës, duke përmbyllur kështu një strategji me 5 aeroporte në territorin e Shqipërisë të ndara në mënyrë të barasvlershme përsa i përket veriut, qendrës, jugut edhe lindjes”, theksoi ministrja Balluku.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë