Balluku inspekton punimet për ujësjellësin e Udenishtit dhe Memlishtit në Pogradec - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/02/2021

Balluku inspekton punimet për ujësjellësin e Udenishtit dhe Memlishtit në Pogradec

Në bashkinë e Pogradecit po punohet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, i cili do të garantojë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për banorët Udenishtit dhe Memlishtit, dy fshatra me potencial të madh turistik. Ndërhyrja parashikon jo vetëm përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së ujit për afro 6 mijë banorë, por edhe eliminimin e humbjeve në rrjet si dhe pajisjen e të gjithë abonentëve me ujëmatësa.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga zëvendësdrejtori i AKUM, Flauers Shoshi dhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, inspektuan ecurinë e punimeve, të cilat kanë arritur tashmë në afro 60% të realizimit, ndërkohë që i gjithë investimi pritet të përfundojë brenda vitit 2021.

“Aktualisht po punohet në dy fronte, në dy fshatra, me një popullsi totale prej 6 mijë banorësh. Janë dy fshatra buzë liqenit, me burime natyrore të shumta, por që nuk furnizojnë popullatën me ujë të pijshëm. Në vitet ‘93-‘94 ka pasur një investim minimal përsa i përket rikonstruksionit, por tubacioni që e ka sjellë deri tek familjet ka qenë një tubacion i hapur”, sqaroi Shoshi.

Ky kantier, u shpreh ministrja Balluku, është vetëm një prej shumë kantiereve të hapura në të gjithë vendin në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, i cili ka pasur një vëmendje të veçantë gjatë viteve të fundit.

“Vetëm në qarkun e Korçës kemi 28 kantiere të hapura, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë mbi 200 kantiere. Uji i pijshëm, kanalizimet, të gjitha këto shërbime kaq të rëndësishme janë një nga pesë prioritetet e qeverisë Rama, për të cilat ne kemi punuar gjatë gjithë kohës, sigurisht duke pasur një mbështetje shumë të madhe nga donatorët tanë, përmend këtu KfW, si një nga donatorët më mbështetës të të gjithë këtë procesi, por padyshim dhe Bankën Botërore dhe të gjithë institucionet e tjera”, tha Balluku.

Investimet që po kryhen janë të mirë studiuara dhe garantojnë 24 orë ujë në çdo banesë.

“Të gjitha investimet që ne kemi bërë nuk janë thjesht për të identifikuar burimet apo për të investuar në depot e grumbullimit, por ne jemi kujdesur që këto investime, që dikur në të shkuarën i linin deri tek depo, ose janë bërë investime të cilat nuk e çonin ujin në çdo shtëpi dhe në çdo rubinet, sot të gjitha investimet janë investime të mirëstudiuara të cilat nisin nga burimi, në depot e grumbullimit dhe më pas në rrjetin e shpërndarjes dhe në matësat që ne po i vendosim në çdo familje, për të pasur një kontroll në konsumin e ujit”, u shpreh Balluku.

Kryebashkiaku i Pogradecit tha se me rritjen e cilësisë së shërbimit kjo zonë pritet të ketë një zhvillim të madh turistik. “Kjo është një zonë turistike, por nuk mund të bëhet fjalë për turizëm familjar nëse do të mungonte uji, kështu që unë në emër të banorëve jo vetëm të Udenishtit, por edhe të Mokrës edhe të Çeravës, se ju na keni mbështetur shumë, dua t’ju falënderoj dhe nëpërmjet jush Qeverinë që ju ktheu vëmendjen bashkive të vogla”, tha Xhakolli.

Në bashkinë e Pogradecit është duke u punuar edhe për projektin i cili parashikon mbrojtjen mjedisore të liqenit,  kanalizimet e ujërave të zeza të Pogradecit dhe zonave përreth me dalje në liqen.