Nënstacioni elektrik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në zonën e Farkës, i është nënshtruar një investimi për fuqizimin e tij. I ndërtuar në kushte emergjente me një rrjet elektrik të dobët dhe në mungesë të një studimi të mirëfilltë, ky nënstacion, për shkak edhe të pozicionit, përmbytje nga shirat duke sjellë stakimin e tij në jo pak raste.
OSHEE projektoi ndërhyrjen në këtë nënstacion për rritjen e kapaciteteve të tij, por edhe për t’a sjellë atë në kushte normale pune. Investimi i parë nisi në fillim të vitit 2020 me zëvendësimin e transformatorit, i cili ndodhet brenda nënstacionit duke dyfishuar kështu kapacitetet, ndërsa në fazën e dytë u zëvendësuan 10 çela duke rritur standardet dhe sigurinë në këtë nënstacion.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë Qendrore të Tensionit të Lartë, Adriatik Kupi dhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale OSSH Tiranë, Klevis Jahja inspektoi nga afër investimet e realizuara në këtë nënstacion.
Drejtuesit e OSHEE e informuan ministren se investimi në këtë nënstacion ishte bërë i domosdoshëm edhe për shkak se zona të cilën ai mbulon është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa për t’ju përgjigjur kërkesës së banorëve për energji elektrike është investuar edhe në linjat jashtë nënstacionit. Përveç linjave që kanë dalë 20 kilovolt, këtë vit janë lidhur edhe 2 kontrata të rëndësishme për zgjatjen e fiderit të vjetër, i cili do të shkojë në zonën e Petrelës, duke e kthyer atë nga një izolacion 10 kilovoltsh në 20 kilovoltsh, duke rritur sigurinë e furnizimit.
Ministrja Balluku u shpreh se gjatë këtyre viteve, është investuar në të gjithë vendin, për t’ju ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Falë këtyre investimeve, humbjet në rrjetin shpërndarës u reduktuan ndjeshëm nga 45% që ishin në vitin 2013, në 20% në vitin 2020.
“Duhet theksuar që na është dashur nga 2013-ta dhe deri më sot të ndërhymë në të gjithë Shqipërinë. Padyshim ne e dimë që kemi akoma shumë punë për të bërë, sepse e gjithë Shqipëri ka nevojë që të ketë një investim të mirë, të qëndrueshëm dhe për më tepër investime, të cilat do t’i përgjigjen kërkesës së qyteteve apo zonave rurale për një 10-vjeçar tjetër apo edhe më shumë. Por duhet kuptuar, që ka pasur një vendosje prioritetesh, ka pasur studim se ku janë zonat me dendësi më të madhe të popullatës, apo ku ka qenë nevoja për të ndërhyrë menjëherë për shkak të problematikës shumë të madhe. Kështu që askush nuk është jashtë vëmendjes, ne do të vazhdojmë të investojmë kudo në Shqipëri”, theksoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi se investimet në sektorin energjetik janë kushtëzuar ndjeshëm nga importi i energjisë, për këtë arsye janë ndërmarrë një sërë hapsh për diversifikimin e burimeve të energjisë, duke rritur në këtë mënyrë prodhimin në vend të energjisë.
“Me parkun e ri të Spitallës, me parkun e ri të Karavastasë dhe sidomos me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ne do të rrisim prodhimin vendas. Duke rritur prodhimin vendas, sigurisht do t’i drejtohemi më pak importit. Në momentin kur edhe hidrocentrali i Skavicës të përfundojë do të kemi mundësi që e gjithë energjia e kërkuar të prodhohet në vend dhe të kontrollohet”, u shpreh Balluku.
Rikonstruksioni i nënstacionit të Farkës është pjesë e së njëjtës paketë investimi ku përfshihen edhe nënstacioni Kasharit dhe ai Traktora në kuadër të projektit të rimëkëmbjes me Bankën Botërore. Punimet përfunduar në dhjetor të vitit 2020 dhe zgjatën për afro 3 muaj. Ky nënstacion furnizon me energji elektrike afro 40 mijë banorë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë