Me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.339, datë 22.04.2020, pas një periudhe prej më shumë se 2 vjet në krye të Autoritetit të Avicacionit Civil, z.Krislen Keri është liruar nga kjo detyrë, për t’u emëruar në një pozicion të ri në administratën publike, ku nevojitet ekspertiza në fushën e aviacionit civil.
Me një përvojë të gjerë në fushën e Aviacionit Civil, si dhe njohuri të plota mbi politikat dhe procedurat përkatëse, është emëruar nga Këshilli i Ministrave në pozicionin e Drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Znj. Edlira Kraja.
Znj.Kraja ka qenë pjesë e AAC në funksione të ndryshme drejtuese që prej vitit 2003 dhe nga viti 2018 ka pasur pozicionin e Përgjegjëses së Sektorit të Standartizimit Teknik dhe Regjistrit të Avionit në AAC.
Në këtë moment kritik për sektorin e Aviacionit Civil në vendin tonë, ashtu sikurse në të në të gjithë botën, reagimi i shpejtë dhe profesional është vendimtar për procesin e ringritjes së këtij sektori dhe dizenjimin e protokolleve të reja që do të kërkohen në kuadër të masave kundër COVID-19.
Qeveria Shqiptare vazhdon ta konsiderojë Aviacionin Civil si një fushë prioritare dhe të rëndësishme për zhvillimin e turizmit por edhe konektivitetin në përgjithësi.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë