U dëmtuan nga tërmeti i shtatorit, Balluku: Kemi ndërtuar 21 banesa të reja, në Bashkinë e Vorës - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/04/2020

U dëmtuan nga tërmeti i shtatorit, Balluku: Kemi ndërtuar 21 banesa të reja, në Bashkinë e Vorës

Familja Cenaj, në fshatin Domje të Bashkisë së Vorës, ka tashmë një banesë të re, më të madhe dhe komode, se shtëpia, e cila u dëmtua nga tërmeti i 21 shtatorit. Banesa e re është ndërtuar në të njëjtin vend, ku ndodhej banesa e vjetër, ndërsa gjatë kësaj kohe familja ka përfituar bonusin e qerasë të akorduar nga Bashkia e Vorës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj, u dorëzoi anëtarëve të kësaj familjeje çelësat e banesës së re.

Kryebashkiaku Brahimaj bëri të ditur se deri më tani në territorin e Bashkisë së Vorës janë ndërtuar 21 banesa të cilat u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit. “Kemi tre shtëpi në zonën e Domjes. Kjo është e para që kemi bërë, dy të tjerat janë në proces. Banesa tjetër mbaron në 31 maj dhe në fillim të qershorit përfundojmë dhe shtëpinë e tretë”, u shpreh Brahimaj. Ai theksoi se për përshpejtimin e punimeve ka kontribuar edhe vetë kryefamiljari, i cili u është bashkuar skuadrave të punëtorëve.

Vetë familjarët u shprehën falënderues për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar nga Qeveria dhe bashkia, ndërsa thanë se as ata vetë nuk besonin se do të bëheshin me një strehë të re në një kohë kaq të shpejtë.

Ministrja Belinda Balluku theksoi se pavarësisht vështirësive të hasura edhe si pasojë e situatës më të fundit të krijuar me pandeminë e COVID-19, janë drejt përfundimit edhe banesat e tjera, të cilat shumë shpejt do t’ju dorëzohen familjeve që u prekën nga tërmeti i 21 shtatorit.

“Në kohë të vështira ka dhe lajme të bukura, si kjo shtëpia juaj sot edhe gjithë shtëpitë e tjera, që ne do dorëzojmë, sepse në zonën e Vorës kemi ndërtuar 21 shtëpi, të cilat po i dorëzojmë një e nga një. Kemi pasur dhe shtëpi, të cilat kanë qenë në zona disi të vështira, në zonën e Kuçit apo në zonën e Palaqit, ku ka qenë shumë e vështirë për të shkuar dhe për të çuar gjithë materialet aty, por ndërkohë edhe ata po bëhen me një strehë të re, kështu që si ju, shpresojmë që të gjithë të sistemohen sa më shpejt”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të nisë në terren projekti i rindërtimit, për të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, jo vetëm në Vorë, por edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti.

“Ne tani do nisim nga rindërtimi në qytetin e Vorës dhe në zona të tjera, të cilat janë identifikuar në projektin e rindërtimit. Kështu që ju jeni dallëndyshet e para të kësaj pranvere, shtëpitë tuaja janë si dallëndyshet e para, që të gjithë po e shikojnë që premtimet mbahen dhe ne i bëjmë realitet. Kështu ndodhi dhe me shtëpitë që ne ndërtuam në Floq, pas tërmetit që ra aty në muajin maj. Në këtë zone, të goditur dy herë nga tërmeti, siç është Vora, po dhe gjithë zonat e tjera si Laçi, Lezha dhe gjithë qytetarët e tjerë të dëmtuar, duke ju parë ju, që sot futeni në shtëpi të re, për ta është një lajm i mire, sepse më pas është radha e tyre dhe shpresoj të mos kemi më ngjarje të tilla”, nënvizoi Balluku.

Ministrja Belinda Balluku theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për të përmbyllur sa më shpejt këtë proces për t’ju dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të hyjnë në banesat e tyre të reja. “Ka qenë një vit i vështirë shumë, por të gjithë bashkë dhe me optimizëm do ta përballojmë dhe do t’ia dalim. Kemi kaluar shumë vështirësi, por gjithmonë ja kemi dalë. Sidomos tani, me gjithë përpjekjet e qeverisë dhe të kryeministrit, që janë përpjekjet e tij personale, qoftë për mbledhjen e fondeve dhe qoftë për realizimin në një kohë sa më të shkurtër të këtyre banesave”, u shpreh Balluku.

Shtëpia e re e familjes Cenaj ka dy dhoma dhe një kuzhinë, ndërkohë që Bashkia e Vorës ka kontribuar edhe për mobilimin e brendshëm të banesës.