Ministrja Balluku takim me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme “AREA” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 22/02/2019

Ministrja Balluku takim me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme “AREA”

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme “AREA”, me të cilët ka diskutuar lidhur me procesin e verifikimit të përputhshmërisë ligjore të respektimit të kontratave koncensionare për ndërtimin e HEC-eve në vend.

Pasi ka dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e përfaqësuesve të AREA, ministrja Balluku është shprehur se MIE gëzon të drejtën ligjore, si autoriteti kontraktues, që të monitorojë zbatimin e të gjitha kontratave të lidhura përsa i përket zbatimit të afateve kontraktore, zbatimit të projektit, respektimit të kushteve mjedisore, kapacitetit prodhues si dhe çdo detyrimi tjetër kontraktor.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e AREA kanë kërkuar nga ministrja që të gjitha rastet të trajtohen sipas legjislacionit që ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes së kontratave dhe gjithashtu kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin me ekspertizë teknike të gjitha nismat e ardhshme të MIE fushën e hidroenergjisë.

Ministrja Balluku vlerësoi gatishmërinë e AREA dhe premtoi nisjen e një bashkëpunimi dypalësh të munguar deri tani, por theksoi se kontrolli i përputhshmërisë ligjore në zbatimin e kontratave të HEC-eve, është një proces i rëndësishëm dhe i pakthyeshëm, i cili do të rezultojë i suksesshëm.

Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ky proces pa asnjë dyshim do të kthehet në favor të këtij sektori, pasi subjektet, të cilat kanë investuar dhe u janë përmbajtur kontratave nuk do të cenohen dhe për më tepër do të mbështeten në kryerjen e aktivitetit të tyre.