“Ditët e energjisë për rajonin”, mbahet edicioni i dytë i Energy Expo & Forum 2018 - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/09/2018

“Ditët e energjisë për rajonin”, mbahet edicioni i dytë i Energy Expo & Forum 2018

Me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në datat 5-6 tetor 2018 në Expocity Albania do të mbahet edicioni i dytë i Energy Expo & Forum 2018, “Ditët e energjisë për rajonin”.

Forumi do të mbledhë prodhuesit e sektorit të energjisë së rinovueshme, duke u bërë platforma kryesore B2B për investitorët, zhvilluesit dhe konsulentët. Pjesëmarrësit do të këshillohen në të gjithë spektrin e sektorit të energjisë në lidhje me mundësitë, procesin e tenderimit dhe sfidat, me një fokus të veçantë në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe të ardhmen e energjisë në Shqipëri dhe rajon.

Energjia nga burimet e rinovueshme do të mbetet fokusi kryesor për të dytin vit me një forum të dedikuar për energjinë e rinovueshme, por kësaj radhe në një format me më shumë risi. Gjatë aktiviteteve dy ditore të panairit do të ketë pjesëmarrje të përfaqësuesve të disa shoqërive më të mëdha në botë si: Longi Solar që është edhe mbështetësi kryesor i eventit, TAP, Sunpower etj, gjithashtu shoqërive që operojnë në fushën e energjisë në Shqipëri si OST, Statkraft, Novamat, Euroelektra etj. Do të ketë workshope dedikuar sistemeve fotovoltaike, panel diskutimi në lidhje me procesin e standardizimit të monitorimit dhe inspektimit të naftës dhe gazit si dhe të tjera aktivitete.

Risia e këtij edicioni të dytë është se do të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë, si dhe temat të cilat do të trajtohen duke përfshirë çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike, çështjet e teknologjisë së ndërtimit në lidhje me efikasitetin e energjisë etj.