91% e shërbimeve publike online brenda 2020 - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 26/12/2019

91% e shërbimeve publike online brenda 2020

Qeveria Shqiptare synon që 91% e shërbimeve publike për qytetarëve, brenda vitit 2020 të mund të ofrohen online. Në kuadër të kësaj nisme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, ishte në ambientet e DRSHTRR Tiranë, nga ku prezantoi punën në funksion të kësaj nisme.

DPSHTRR është një ndër drejtoritë, e cila gjatë vitit 2019 ka kaluar online një sërë shërbimesh, duke shkurtuar kohën e procedurave si dhe radhët e pritjes për qytetarët. Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhe bëri të ditur se gjatë 2020-ës do të jenë 50 shërbime të kësaj drejtorie të cilët qytetarët mund t’i aksesojnë online.

“Gjatë 2019-ës kemi bërë të mundur 700% më shumë shërbime për qytetarët krahasuar me 2018-ën. U kemi shërbyer 2.2 milionë qytetarëve dhe nga këta 400 mijë kanë qenë aplikime të plota online. Po bëhemi gati, pas urdhrit të Kryeministrit dhe nën koordinimin e ministres, që në vitin 2020 të mundësojmë 50 shërbime tërësisht online”, u shpreh drejtori Gonxhja.

Ministrja Balluku theksoi se kishte zgjedhur këtë drejtori, për të prezantuar nismën më të re të qeverisë, pikërisht sepse është një nga drejtoritë e përparuara, e cila prej kohësh ka nisur punën për të bërë të mundur këtë projekt të madh të Qeverisë Shqiptare, që do ketë një impakt të jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët.

“Ne synojmë që deri në fund të vitit 2020, të kalojmë online 91% të shërbimeve të ofruara nëpër sportele. Kjo është një nisëm dhe një përgjegjësi e madhe, për t’u kryer pasi duhet një impenjim maksimal që nga ministri dhe deri tek operatori i sportelit. Por ne e kemi marrë këtë përgjegjësi dhe besoj që do ja dalim me sukses ashtu siç kemi bërë dhe herë të tjera”, u shpreh ministrja Balluku për mediat pranishme.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shpjegoi se do të synohet që procesi të jetë sa më i thjeshtë, por nga ana tjetër, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, për një periudhë të caktuar pranë sporteleve do të ketë asistencë për qytetarët që duan të dijnë se si kryhet aplikimi online.

“Procesi do të jetë i thjeshtë. Ne do të nisim të kalojmë shërbimet online përmes platformës e-albania, ku do të prezantojmë edhe mënyrën se si çdo qytetar do të ketë mundësi të aksesojë këto shërbime. Por do të krijojmë edhe një periudhë të caktuar pilotimi nëpër sportele, ku do të ofrohet mundësia, me ndihmën e operatorëve tanë për të aksesuar platformën e-albania dhe sigurisht me kalimin e muajve ne pretendojmë që të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë që ta përdorin vetë këtë platformë”, theksoi Balluku.

Një tjetër risi e kësaj nisme është se tashmë qytetari nuk do mbajë përgjegjësi për letrat dhe dokumentet, të cilat duhen për të marrë shërbimin, sepse kjo do të jetë vetë detyrë e njësisë shtetërore, në të cilën ai do aplikojë.