» 30 studentë të ekselencës bëhen pjesë e MIE, Balluku: Frymë e re në administratë
Postuar më: 13/04/2019

30 studentë të ekselencës bëhen pjesë e MIE, Balluku: Frymë e re në administratë

30 studentë të ekselencës kanë përzgjedhur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për t’u bërë pjesë e administratës publike. Në kuadër të Paktit për Universitetin, të rinjtë aplikuan në portalin punetembare.al, të çelur nga Departamenti i Administratës Publike, duke zgjedhur MIE dhe institucionet e saj të varësisë për t’u punësuar.

Ministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga zv.ministrat Artan Shkreli dhe Hantin Bonati ka zhvlluar një bashkëbisedim me të rinjtë ekselencë, të cilëve u uroi mirëseardhjen, duke theksuar se pritet shumë prej tyre tashmë që janë bërë pjesë e administratës.

“Pritet shumë nga ju. Pritet që ju të sillni brenda administratës një frymë të re. Pritet që ju të jeni një pjesë dinamike e zhvillimit që kjo administratë duhet të bëjë në bazë të strategjive dhe prioriteteve që qeveria shqiptare ka, por gjithashtu ne presim që ju të vini dhe të ndryshoni mentalitetin”, u shpreh Balluku.

Ministrja e vuri theksin tek krijimi i një fryme të re sa i takon administratës duke i ftuar të rinjtë e sapo punësuar që të përfitojnë edhe nga eksperienca e kolegëve në institucionet ku janë atashuar.

“Pritshmëritë janë shumë të larta ndaj mos zhgënjeni veten, familjet tuaja që kanë sakrifikuar për t’ju sjellë deri këtu dhe as ne që presim shumë nga ju. Presim të na jepni ritmin që keni, dëshirën për punë. Ne jemi skuadër dhe punojmë me frymën e skuadrës. Mirë se erdhët në skuadrën tonë, jemi të kënaqur që ju kemi dhe shpresojmë që dhe të tjerë si ju do na bashkohen”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, zëvendësministri, Artan Shkreli, tha se administrata e MIE-së  është e hapur ndaj të rinjve që duan të japin kontributin e tyre. “Duhet të jeni kritik jo në kuptimin për të krijuar problematika me njerëzit që gjeni aty, por për të bërë sugjerimet përkatëse dhe të insistoni tek ajo pjesë që mendoni se është gjë shumë e mirë. Të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin. Të gjithë mund të mësojmë edhe nga ata që kanë filluar punë që nga fillimi”, ka thënë Shkreli.

Ndërsa zëvendësministri, Hantin Bonati ka ndarë me punonjësit e rinj të MIE përvojën e tij të përfshirjes në administratën publike.

“16 vite më parë isha student dhe unë.  Pashë një njoftim në Bashkinë e Tiranës asokohe. Si ju tani që keni aplikuar edhe unë aplikova me skepticizmin tim se mendoja se konkurset, sikurse ishin në atë kohë, mund të ishin me favorizime. Pas aplikimit fitova mundësinë për tu bërë specialist në një sektor në Bashkinë e Tiranës dhe pastaj hap pas hap puna ime u vlerësua dhe ndoqa gjithë hapat deri këtu ku jam sot në pozicion të lartë të zëvendësministrit”.

Nga ana e tyre punonjësit më të rinj të MIE kanë treguar eksperiencat e tyre të arsimimit si dhe rrugës që kanë ndjekur për të ardhur deri në këtë moment të punësimit të tyre. Pjesa më e madhe kanë rrëfyer për pasigurinë dhe mosbesimin që kishte shoqëruar aplikimet në portalin punetembare.al. por më pas gjithçka kishte ndryshuar kur aplikimet e tyre ishin trajtuar me seriozitetin e duhur dhe ata tashmë janë pjesë e administratës publike.