Unaza e Madhe e Tiranës, institucionet sqarojnë procedurat dhe projektin - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 05/11/2018

Unaza e Madhe e Tiranës, institucionet sqarojnë procedurat dhe projektin

Drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Bashkisë Tiranë komunikuan sot me median për të dhënë detaje mbi projektin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.

Drejtori i ARRSH sqaroi fazën në të cilën ndodhet projekti dhe llojin e ndërhyrjeve që do të kryhen.

“Ideja paraprake për Unazën e Madhe daton që përpara viteve ’90. Gjatësia e Unazës shkon në 27 kilometra në total për gjithë projektin. Aktualisht janë të përfunduara segmentet nga Fusha e Helikopterëve në Farkë deri tek Shkolla Teknologjike që njihet si zona e pallatit me shigjeta. Janë në ndërtim 5 lote: konkretisht 2 lote në segmentin Fusha e Helikopterëve (Farkë) deri në Shkozë- Materniteti i Ri dhe 3 lote rikualifikimi nga Shkolla Teknologjike deri tek Sheshi Shqiponja. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe për 100 vitet e ardhshme të këtij qyteti. Ne kemi të standartizuar këtë projekt dhe të uniformizuar në të gjithë gjatësinë e tij. Pra, nga Shkoza deri tek Sheshi Shqiponja do të jetë një projekt i kategorisë A Urbane, me tre korsi kalimi (dy korsi x 3.75m, një korsi emergjence 3m). Ndarje e mesit të senseve të kalimit dhe të gjithë elementët urbanë pasi kemi të bëjmë me një rrugë që qarkon qytetin e Tiranës. Do të ketë ndriçim, gjelbërim, korsi biçikletash dhe të gjithë elementët që duhen për këtë projekt madhor”, u shpreh drejtori i ARRSH, Afrim Qendro.

Duke ju referuar protestës së banorëve në zonën e Astirit, Qendro sqaroi se deri më tani janë bërë verifikimet dhe identifikimet paraprake të objekteve që janë biznese apo banesa që preken nga projekti.

“Nga verifikimi paraprak na del në total se për 5 lotet (2 lote në segmentin Fusha e Helikopterëve (Farkë) deri në Shkozë- Materniteti i Ri dhe 3 lote rikualifikimi nga Shkolla Teknologjike deri tek Sheshi Shqiponja) janë 317 objekte. Prej tyre, 163 janë në procesin e legalizimit por do duhet të skualifikohen nga ALUIZNI, me vërtetim pronësie 123 objekte, 22 janë të skualifikuara tashmë, 4 objekte të trajtuara me VKM Nr. 442 ndërsa për 5 objekte nuk ka informacion ende pasi nuk ka patur banorë ose nuk kanë dashur të japin informacion”, sqaroi Qendro.

Duke sqaruar procedurën ligjore, Drejtoresha e IKMT tha se pas evidentimit paraprak do të vazhdohet me fazën e dytë në përputhje me përcaktimet ligjore.

“Faza e dytë ashtu siç e shpjegoi edhe drejtori i ARRSH do të jetë procedura ligjore që inspektoratit ja ka ngarkuar ligji. Pra, procedurat e konstatimit dhe njohja me vendimmarrjen për këto objekte dhe prishjen. Deri në këto momente jemi në fazën fillestare, në fazën e identifikimit dhe sëbashku me grupin e punës, në ditët në vijim do të jemi në fillim të procedurave ligjore deri në vendimmarrje”, nënvizoi drejtoresha Dallëndyshe Bici.

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme tha se edhe ky institucion ka kryer verifikimet që ngarkon ligji.

“Në Hipotekën e Tiranës është ngritur një grup i posaçëm me jurist dhe hartografët më të mirë. Ata do tu përgjigjen me përparësi të gjithë qytetarëve që kërkojnë informacion për pronat që preken nga objekti. Gjithashtu do të shërbejnë për dhënien e informacionit për statusin juridik të pronësisë edhe institucioneve të tjera të përfshira në projektin madhor të Unazës së Madhe. Deri më tani, hipoteka e Tiranës ka bërë evidentimin e pronave që prek ky projekt, të cilat janë të pajisura me dokument pronësie si çertifikatë apo vërtetim sipas rastit. Për pjesën tjetër jemi në proces e sipër të identifikimit”, sqaroi drejtori Valdrin Pjetri.

Nëndrejtoresha e Përgjithshme e ALUIZNI-t i dha përgjigje edhe çështjes së procedurës që do ndiqet me banesat pa dokumentacion pronësie por në proces legalizimi.

“Institucioni i ALUIZNI-t ka për detyrë që në momentet kur kemi plane të tilla madhore, për interes të të gjithë qytetarëve të Tiranës, të bëjë punën e vet. Ajo çka është bërë deri tani është që duke u bazuar edhe në ligj, në nenin 39, në momentin që shfaqet një plan i tillë, të gjithë subjektet të cilat kanë aplikuar për leje legalizimi janë verifikuar dhe sigurisht ato subjekte që ndodhen në gjurmën e këtij plani, janë në proces të skualifikimit”, theksoi nëndrejtoresha Ingrid Konomi.

Ajo çka do të ndodhë me banorët të cilët skualifikohen nga procesi i legalizimit dhe nuk kanë dokumente pronësie, u sqarua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku.

“Pa dyshim, sa herë kemi projekte të këtij tipi ka gjithmonë problematika me shpronësimet, ka gjithmonë problematika me njerëz të cilët kanë ndërtuar aty dhe kanë qenë në proces legalizimi. Çdo person i cili ka një dokument hipotekor  për banesën ose biznesin e tij që preken nga projekti do të marrë dëmshpërblim sipas ligjit. Të gjithë ato familje të cilat janë në proces legalizimi dhe do të duhen të skualifikohen si rrjedhojë e këtij projekti nga legalizimi, Bashkia Tiranë do ti trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë. Do ti trajtojmë me një procedurë të posaçme për bonusin e qerasë në mënyrë që të kemi mundësi ti kalojmë me procedurë më të shpejtë, të mos kenë të gjitha dokumentet që duhen për procedura e bonusit të qerasë dhe të aprovohen sa më shpejt në Këshillin Bashkiak, që të kenë mundësi që automatikisht të përfitojnë bonusin e qerasë për një periudhë të paktën 1 vjeçare por që ka mundësi që edhe të rinovohet më pas, sa të gjejnë mundësinë që të menaxhohen në banesa të reja. Do të kenë sërish një linjë prioritare në të gjithë programet e tjera të banesave sociale apo të banimit që Bashkia Tiranë ka”, nënvizoi nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Mazniku.

Më tej, ai sqaroi rëndësinë që ka projekti i Unazës për të zgjidhur problematikën e trafikut në kryeqytetit. “Ky është një projekt që ka një rëndësi vitale për lëvizjen e trafikut në qytetin e Tiranës. Është ndoshta projekti  më i rëndësishëm infrastrukturor i këtij momenti, i cili është duke u zbatuar në qytetin e Tiranës. Na siguron me përfundimin e tij lëvizje të pandërprerë, pa ndalesa nga segmenti i mbikalimit të shkollës teknologjike tek shqiponja. Një element që çdo qytetar që lëviz sot në këtë aks e ka dalluar vet vonesën dhe kohën e ngrënë, karburantin e  harxhuar e tymin e krijuar në këtë aks i cili është ndër akset më të ngarkuar në mos më i ngarkuari i qytetit të Tiranës”, nënvizoi Mazniku.