Rruga e Arbrit, Balluku inspekton punimet në tunelin e Murrizit: Zgjidhje problematikës së rrëshqitjeve, me synim përfundimin para afatit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 02/08/2019

Rruga e Arbrit, Balluku inspekton punimet në tunelin e Murrizit: Zgjidhje problematikës së rrëshqitjeve, me synim përfundimin para afatit

Rruga e Arbrit do të jetë gati dhe e aksesueshme për të gjithë përdoruesit para afatit të parashikuar në kontratë, pavarësisht problematikave të hasura gjatë zbatimit të projektit. Aktualisht në të gjitha veprat e këtij aksi projekti po ecën me ritme të mira dhe punimet po kryhen me cilësi.

Situatë problematike është krijuar vetëm në zonën ku po ndërtohet tuneli i Murrizit, ku përbërja gjeologjike e nëntokës ka shkaktuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në ecurinë e punimeve. Prezenca e formacioneve të dobëta të kësaj pjesë të nëntokës ka bërë që inxhinierët dhe specialistët e kompanisë që po kryen punimet kanë nisur punën për gjetjen e një zgjidhjeje që i jep fund kësaj situate.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte në tunelin e Murrizit për t’u njohur nga afër me ecurinë e punimeve por edhe me problematikat e hasura në këtë pjesë të rrugës si dhe mënyrën sesi po procedohet nga ana e kompanisë që realizon punimet.

“Pas investigimeve me mjete, me specialistë, rezulton që rrëshqitja është mbi 60 metër. Dhe kjo pastaj na detyroi që ta ndalonim në hyrje, të kalonim, për të mos lënë ritmet këtej nga dalja, dhe jemi në përfundim të investigimeve dhe besoj shumë shpejt, punë ditësh do t’i dalim Ministrisë me propozimin e një apo dy varianteve të cilat do të vlerësohen sesi mund të zgjidhen”, bëri të ditur përfaqësuesi i kompanisë “Gjoka Konstruksion”.

Nga ana e saj, ministrja Balluku u shpreh se pavarësisht problematikave kompania që po kryen punimet është duke e menaxhuar situatën në mënyrë profesionale.

“Çfarëdo që është duke ndodhur sot në këtë tunel tregon profesionalizimin me të cilin ju po e menaxhoni situatën. Kjo është një situatë e vështirë, pavarësisht studimeve që janë bërë, edhe nga Ministria në fillim të projektit, edhe nga vetë kompania, por ka rezultuar që shtresat nëntokësore, formacionet shkëmbore të kësaj zone janë formacione të dobëta, të cilat shpesh herë kanë pësuar rrëshqitje duke krijuar vonesa në punë”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë garantoi se zgjidhja që do t’i jepet këtij shqetësimi do të jetë ajo më optimale, që do të dalë nga analizat dhe vlerësimet që do të bëjnë specialistët dhe ekspertët e fushës.

“Përsa kohë marrim vendime, të cilat do të jenë të bazuara në fakte teknike, sigurisht zgjidhja do jetë e mirë. Është një zgjidhje komplekse. Nuk e vëmë në dyshim që do na harxhojë pak më shumë kohë, por ndërkohë jemi zotuar që ky projekt i gjithi duhet të mbarojë para afatit dhe shpresojmë që rezultatet që do dalin nga i gjithë sondimi që ju po bëni në nëntokë të jenë rezultate të cilat na japin një zgjidhje që nuk do na marri shumë kohë. Megjithatë, siç ju thatë, ne kemi një plan B për krijimin e një bypass-i mbi këtë tunel në rast se nuk do kemi mundësi për të proceduar më tutje”, nënvizoi Balluku.

Përfaqësuesi i “Gjoka Konstruksion” theksoi edhe një herë se pavarësisht problematikave tuneli do të ndërtohet sipas afateve të parashikuara më herët.