Përfundon shkolla verore “Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues”, Balluku: T’a kthejmë në institucion, për të shtuar kapacitetet - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 03/08/2019

Përfundon shkolla verore “Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues”, Balluku: T’a kthejmë në institucion, për të shtuar kapacitetet

“Coding & design thinking”, shkolla verore 3-vjeçare “Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues” ka përfunduar. Gjatë kësaj iniciative të re , 27 nxënësit pjesëmarrës kanë pasur mundësinë të trajnohen dhe të punojnë nën monitorimin e instruktorëve të ardhur nga Stanford University SHBA.

Programi, i cili mbështetet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka për qëllim të udhëheqë të rinjtë drejt fushës së teknologjisë ndërsa është një iniciativë e sjellë nga studentë shqiptarë të cilët kanë studiuar në Universitetin e Stanfort dhe punojnë në Silicon Valley.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me nxënësit shqiptarë, të cilët janë pjesë e kësaj shkolle, ku u njoh edhe me një pjesë të punimeve që ata kanë zhvilluar gjatë tri javëve të leksioneve dhe praktikave që kanë zhvilluar.

Ministrja Balluku pati edhe një bashkëbisedim me prindërit e nxënësve, me të cilët ka ndarë mendimin e përbashkët për rëndësinë e kësaj iniciative, që iu vjen në ndihmë nxënësve shqiptarë të apasionuar drejt teknologjisë.

Duke vlerësuar iniciativën e të rinjve shqiptarë që sollën në Shqipëri CODE for ALBANIA, ministrja Balluku, garantoi mbështetjen e Ministrisë që drejton me qëllim vijueshmërinë e këtij projekti por edhe duke zgjeruar kapacitetet për t’u dhënë mundësi më shumë nxënësve që të bëhen pjesë e të përfitojnë.

“Ne na bën shumë krenar fakti që të rinjtë shqiptarë të kthehen në Shqipëri me një projekt dinjitoz, na bën krenar fakti që Code X zgjodhi Shqipërinë për ta sjellë këtë projekt. Kjo iniciativë  sot merr një formë më të qëndrueshme për të vazhduar në vitet e ardhshme akoma dhe më e strukturuar dhe akoma me mbështetje më të madhe përsa i përket studentëve edhe duke gjetur nxënës të cilët kanë kapacitete që në të ardhmen të kthehen me të vërtetë në kapitale të vlefshme njerëzore”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur gjithashtu se është hartuar një plan për vazhdimësisë e kësaj shkolle në të ardhmen. “Ne e shikojmë këtë projekt si hapi i parë për ta kthyer në një institucion, për të zyrtarizuar këtë shkollë verore dhe sigurisht për të rritur edhe numrin e pjesëmarrësve. Ndoshta në të ardhmen do ketë nevojë edhe për një proces konkurrimi. Ky proces nuk mund të përfundojë me këtë shkollë verore dhe vitin tjetër të mos kujtohet më njeri për këtë. Apo të jenë përpjekje individuale që i bashkon vetëm dëshira e mirë. Kjo ka nevojë për infrastrukturën shtetërore për t’u mbështetur dhe pse jo në të ardhmen edhe me bursa”, nënvizoi ministrja Balluku.

Nga ana e tyre, prindërit e nxënësve pjesëmarrës në këtë shkollë, teksa falënderuan Ministren Balluku për mbështetjen e kësaj iniciative, u shprehën se 27 nxënësit e parë që janë pjesë e saj do të shërbejnë edhe si model për nxënësit e tjerë në vitet e ardhshme.

“Unë uroj që këto 27 që janë përzgjedhur tani të jenë dhe fillesat e këtij brezi të mençur. Një gjë është e sigurtë që kushdo që është pjesëmarrës në këtë shkollë sot, me pasionin, me dëshirën që ata kanë reflektuar padyshim që kanë një të ardhme shumë të sigurtë. Dhe ata do shërbejnë si një model edhe për brezat e tjerë që vijnë nga mbrapa”, tha Dritan Mezini, prind i njërit prej fëmijëve që janë pjesë e kësaj shkolle, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së IT-së në Shqipëri.

“Shoh që për nga niveli është shumë më lartë se dhe ajo pritshmëria që ne kemi pasur. Dhe ajo që kërkojmë të gjithë si prind është që kjo të jetë e vazhdueshme sepse i bie që të jenë tre vjet këta, pastaj do jenë dhe breza të tjerë. Ju falenderojmë shumë për mbështetjen që i keni dhënë kësaj shkolle”, u shpreh prind i një tjetër fëmije, pjesë e shkollës në Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues (Design Thinking).

Shkolla verore nisi në datën 20 korrik deri në 2 gusht, për të vijuar përgjatë gjithë vitit, fundjavave. Gjatë leksioneve dhe praktikave nxënësit do kenë mundësinë të lidhen me një rrjet instruktorësh që studiojnë dhe punojnë në një nga qendrat më të rëndësishme për inovacionin e teknologjive të komunikimit dhe informacionit.

Alex, një nga themelueset e Code.X, e cila ka asistuar në të gjitha fazat e këtij projekti,  që nga përzgjedhja e aplikantëve, ndjekja e trajnimeve të ditë pas dite dhe deri tek komunikimet me prindërit e nxënësve, në përfundim të kësaj faze shprehet e lumtur për vendimin e marrë prej tyre për ta sjellë Code.X në Shqipëri nëpërmjet Code for Albania. Ajo shprehet se nxënësit janë të zgjuar, konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre kudo nëpër botë, dhe patjetër Shqipëria është nga ato vende që të bën ta duash e të kthehesh sërish.