Mbarëvajtja e sezonit turistik, Klosi, Balluku dhe Cakaj mbledhin në Velipojë Task Forcën për planin e masave - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/07/2019

Mbarëvajtja e sezonit turistik, Klosi, Balluku dhe Cakaj mbledhin në Velipojë Task Forcën për planin e masave

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mblodhën në Velipojë Task Forcën për zbatimin e plan veprimit “Për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik  veror 2019”. Ministrja Balluku dhe ministri në detyrë Cakaj, janë të deleguarit e Këshillit të Ministrave për drejtimin e grupit ndërinstitucional  për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e sezonit veror në plazhin e Velipojës.

Në takim merrnin pjesë drejtues të institucioneve, përfaqësues nga pushteti vendor si  dhe sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e bregdetit të Velipojës.

Gjetjet e evidentuara në raportin e hartuar në raportin e hartuar nga Task Forca, pas verifikimeve të kryera në terren ishin në fokus të diskutimeve. Në këtë pikë, ministrat ishin të prerë në fjalën e tyre sa i takon detyrave që duhet të mbulojë Task Forca ashtu sikundër edhe në monitorimin e realizimit të tyre.

“Sipas rezultateve të Task Forcës në zonën e Velipojës, nga 29 subjekte të moniturara, asnjë nuk ka kontratë për shfrytëzimin e zonës së plazhit. Vetëm 17 janë të regjistruar në zyrën e tatimeve. Me pika vrojtimi janë vetëm 10 prej tyre, pra i kemi pikat e vrojtimit, por me vrojtues të cerfitikuar kemi vetëm 3. Pra jemi disafish më pak edhe se një vit më parë. Duhet të përfundojë në mënyrë urgjente lidhja e kontratave me subjektet private dhe dhënia e tyre me qira në zbatim të VMK-se për Stacionet e Plazhit. Duhet siguruar qetësi, siguri dhe shërbime cilësore në çdo cm plazh të Velipojës”, bëri të ditur  ministri Klosi.

Për ministrin e Turizmit dhe Mjedisit janë të gjitha mundësitë që ky sezon të jetë po aq i suksesshëm sa ai i një viti më parë. “Kemi të gjitha mundësitë që të kemi përsëri një sezon të suksesshëm si 2018-a, në masivitet të turistëve të huaj që vijnë, në menaxhim të struktuar të sezonit turistik dhe ajo që është më e rëndësishmja në ruajtjen e jetës në të gjitha aspektet e saj”, theksoi Klosi.

Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku e cilësoi bregdetin e Velipojës si një nga pikat më të rëndësishme të bregdetit shqiptar që njihet për cilësinë e mirë të rërës por dhe pastërtinë e ujit, teksa duke ju referuar tryezës së organizuar theksoi se fokusi është adresimi dhe zgjidhja e problematikave të cilat evidentohen gjatë sezonit turistik me qëllim garantimin e një sezoni sa më të suksesshëm.

“Kjo tryezë duhet të menaxhojë me përpikmëri dhe detaje të gjitha elementët që bëjnë të suksesshëm turizmin. Qoftë ky turizmi bregdetar, qoftë ai malor, pasi kjo zonë i ofron të gjitha mrekullitë e natyrës”, u shpreh Ballluku, teksa bëri të ditur edhe një pasqyrim sa i takon situatës në bregdetin e Velipojës duke ju referuar të dhënave të raportuara nga institucione të ndryshme.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, kërkoi bashkëpunimin e të gjithë institucioneve teksa bëri të ditur se Task Forca do të zhvillojë mbledhje të përjavshme koordinuese deri në përfundimin e sezonit turistik.

“Komiteti do jetë i fokusuar gjatë gjithë kohës pavarësisht nga detyrat funksionale që ne si ministra kemi në zonën tuaj. Çfarë është më e rëndësishmja ne do kemi një mbledhje të përjavshme me të gjithë strukturat deri në përfundim të sezonit dhe do vlerësoja shumë që secili prej jush të qëndronte në kontakt të vazhdueshëm, si me mua dhe me ministrin Cakaj dhe për t’u ndihmuar dhe facilituar në proceset e mëtejshme”, nënvizoi ministrja Balluku.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, duke garantuar mbështetjen e plotë për bashkëpunimin theksoi se “është shumë e rëndësishëm të fokusohemi në dy drejtime. E para koncentrimin e përpjekjeve tona në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Dhe e dyta, komunikimin e shtuar me shtetet përkatëse kryesisht nga rajoni në mënyrë që të sigurojmë një sezon të rregullt turistik”.

Pas diskutimeve dhe evidentimit të problemeve u lanë një sërë detyrash për përfaqësuesit e institucioneve rajonale duke caktuar edhe afatin e realizmit të tyre.