Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri takon zv.sekretarin amerikan për energjinë: Bashkëpunim për projektet energjetike me interes të përbashkët - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 09/02/2018

Gjiknuri takon zv.sekretarin amerikan për energjinë: Bashkëpunim për projektet energjetike me interes të përbashkët

Në përfundim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u prit në një takim nga Zv.Sekretari i Departamentit të Energjisë Dan Brouillette.

Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për sa i takon çështjeve që lidhen me politikat e sigurisë energjetike dhe korridoret e gazit.

Ministri Gjiknuri njohu zyrtarin amerikan me përpjekjet e qeverisë shqiptare në reformimin e sektorit të energjisë, liberalizimin e tregut dhe ndërlidhjen me vendet fqinje. Në këtë kuadër, e çmueshme sipas tij ka qenë dhe ndihma e USAID për hartimin e dokumentit të Strategjisë së Energjisë.

Gjiknuri dhe Brouillette u ndalën edhe tek sektori hidrokarbur, fusha e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe ecuria e projektit të Korridorit Jugor të Gazit pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi TAP. Ministri Gjiknuri informoi Zv. Sekretarin amerikan për hapat në kuadër të hartimit të Masterplanit të gazit dhe më tej përspektiva për gazifikimin e vendit.

Z.Gjiknuri theksoi se Shqipëria mirëpret investimet amerikane edhe në fushën e hidrokarbureve ndërsa ofron potenciale në këtë drejtim.

Zv.Sekretari Brouillette përgëzoi ministrin për rezultatet e arritura në kuadër të reformave në sektorin energjetik ndërsa shprehu gadishmërinë për të dhënë ekspertizë për ato çështje për të cilat qeveria shqiptare e shikon të nevojshme në sektorin e energjisë elektrike dhe fushën e hidrokarbureve.